Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka kërkuar përparim në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se gjendja aktuale po i pengon të dyja vendet dhe gjithë rajonin.
Në fjalimin e tij në Samitin e Procesit të Berlinit, që po mbahet në Mal të Zi, Merz u bëri thirrje Prishtinës dhe Beogradit të tregojnë përgjegjësi dhe të ecin përpara në dialog, duke shmangur gjuhën e urrejtjes, retorikën përçarëse dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës.
Ai theksoi se normalizimi i marrëdhënieve është i rëndësishëm për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe për avancimin e integrimit evropian të rajonit.
Merz nënvizoi se një Ballkan Perëndimor i qëndrueshëm, paqësor dhe ekonomikisht i zhvilluar është thelbësor për të ardhmen e Bashkimit Evropian.
Ai riafirmoi mbështetjen e Gjermanisë për zgjerimin e BE-së, duke theksuar se përparimi drejt anëtarësimit duhet të bazohet në merita, reforma konkrete dhe vullnet politik nga vendet e rajonit.
Kancelari vlerësoi rezultatet e arritura gjatë 12 vjetëve të Procesit të Berlinit në fushën e lëvizjes së lirë të punëtorëve, investimeve, turizmit dhe shërbimeve digjitale, ndërsa tha se Mali i Zi është afër përfundimit të procesit të anëtarësimit në BE.








