KURTI: BE-ja T’I JAPË KOSOVËS STATUSIN E VENDIT KANDIDAT

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të marrë vendim për aplikimin e Kosovës për anëtarësim, t’i japë statusin e vendit kandidat dhe të hapë negociatat.

Në fjalimin e tij në Samitin e 13-të të Procesit të Berlinit, që po mbahet në Mal të Zi, Kurti theksoi se Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që ende nuk e ka këtë status, ndonëse aplikimi është dorëzuar në dhjetor të vitit 2022.

Ai u kërkoi liderëve evropianë që të avancojnë procesin e integrimit të Kosovës, duke nënvizuar se vendi i qëndron vlerave demokratike të BE-së dhe ka zbatuar të gjitha sanksionet kundër Rusisë.

Kurti foli edhe për përfitimet e integrimit gradual në tregun evropian, duke përmendur anëtarësimin në SEPA, lehtësimin e tregtisë dhe uljen e kostove të komunikimit.

Sipas tij, anëtarësimi në SEPA pritet t’u kursejë qytetarëve të Kosovës dhe mërgatës rreth 58 milionë euro në vit.

Duke folur për sigurinë rajonale, Kurti përmendi sulmin në Banjskë, ku u vra polici Afrim Bunjaku, si dhe shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit.

Ai tha se sulmet ndaj infrastrukturës kritike dhe institucioneve demokratike prekin sigurinë e gjithë Evropës dhe theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO.

Kryeministri kërkoi gjithashtu vëmendje më të madhe për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke pretenduar se ata po përjashtohen gradualisht nga institucionet dhe jeta publike.

Në përfundim, ai vlerësoi Procesin e Berlinit si një mekanizëm të rëndësishëm për bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian.

SHARE