LIDERËT E BE-së PAJTOHEN PËR HAPJEN E NEGOCIATAVE TË ANËTARËSIMIT ME BOSNJËN

Këshilli Evropian ka marrë vendim për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnjë e Hercegovinën (BeH).

Vendimi është marrë në samitin e sotëm të liderëve të vendeve të Bashkimit Evropian (BE) në Bruksel, ndërsa informacionin e ka konfirmuar presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, në llogarinë e tij në platformën sociale X.

“Këshilli Evropian sapo ka vendosur të hapë negociatat e anëtarësimit me BeH-në. Urime! Vendi juaj është në familjen tonë evropiane. Vendimi i sotëm është një hap kyç përpara në rrugën tuaj drejt BE-së. Tani ne duhet të vazhdojmë punën e vështirë në mënyrë që BeH-ja të mund të përparojë në mënyrë të qëndrueshme, ashtu siç dëshiron populli juaj”, tha Michel.

Javën e kaluar, Komisioni Evropian publikoi një raport në të cilin arriti në përfundim se BeH-ja përmbush mjaftueshëm kushtet për fillimin e negociatave të pranimit me BE-në.

Në dhjetor të vitit 2023, liderët e BE-së shprehën gatishmërinë e tyre për të hapur negociatat e pranimit kur BeH-ja të arrijë përputhjen e nevojshme me kriteret për anëtarësimin në BE. Ata i bënë thirrje Komisionit Evropian të raportojë në Këshillin Evropian për progresin jo më vonë se marsi i këtij viti, me qëllim marrjen e një vendimi.

BeH-së iu dha statusi i kandidatit për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022, pothuajse shtatë vjet pasi ajo aplikoi për anëtarësim në BE në shkurt të vitit 2016.

Sipas opinionit të Komisionit Evropian nga viti 2022, BeH-ja duhet të zbatojë 14 prioritete kyçe që lidhen me fushat e demokracisë dhe funksionalitetit të shtetit, sundimit të ligjit, të drejtës themelore dhe reformës së administratës publike, në mënyrë që të përmbushen kriteret për anëtarësim në BE.

SHARE