Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se është përmbyllur afati për aplikim për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve që duan të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq dhe në zgjedhjet e parakohshme për kuvendet komunale: Zveçan dhe Leposaviq, të cilat do të mbahen më 23 prill 2023.
Gjatë periudhës 14 ditore të aplikimit (09 mars – 22 mars 2023), sipas njoftimit për media, KQZ nuk ka pranuar ndonjë aplikim nga ndonjë subjekt politik.
Sipas KQZ-së, subjektet politike dhe kandidatët e certifikuar në nëntor dhe dhjetor të vitit 2022, për pjesëmarrje në zgjedhjet e 18 dhe 25 dhjetorit, kanë konfirmuar certifikimin e mëhershëm dhe të njëjtit nuk kanë pasur nevojë të paraqesin aplikim nga fillimi, me përjashtim të udhëzimeve të dhëna nga Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike.
Kujtojmë se në dhjetor të vitit të kaluar, vetëm partitë shqiptare dhe disa nga partitë dhe iniciativa qytetare serbe ishin certifikuar për zgjedhje, ndërsa Lista Serbe kishte refuzuar pjesëmarrjen në dhjetor, dhe tash në zgjedhjet e prillit.
Ndryshe, Kuvendet Komunale të komunave në veri kanë mbetur pa kryetar komune e pa këshilltarë komunalë, pasi vitin e kaluar ata dhanë dorëheqje në shenjë pakënaqësie me vendimin e qeverisë për targat.
Dje në një deklaratë për media, Lista Serbe ka deklaruar që nuk do të kandidojnë në zgjedhjet e 23 prillit në Veri, pasi, sipas tyre, nuk iu janë përmbushur kushtet për të cilat kanë lëshuar institucionet.