RRITET SËRISH ÇMIMI I NAFTËS NË SHQIPËRI

Bordi i Transparencës ka vendosur shtrenjtimin e çmimeve të naftës, duke reflektuar edhe rritjen e çmimit të një fuçie nafte në bursat ndërkombëtare. Në mbledhjen e kësaj të hëne, anëtarët e bordit, duke filluar nga ministrja e ekonomisë dhe financave, drejtorët e tatimeve dhe doganaves si dhe disa përfaqësues të tregtimit të karburanteve, vendosën nivelin e çmimit tavan për naftën, benzinën dhe gazin, i cili do i shtrijë efektet deri në datën 23 mars. Sipas këtij vendimi në pikat e pakicës, nafta do të tregtohet me 221 lekë për litër, nga 203 lekë për litër që ishte për periudhën kohore nga 16 deri në 21 mars. Ndërkohë një litër benzinë do të tregtohet me 211 lekë për litër, nga 206 që ishte më parë. Çmimi i gazit vijon të jetë i pandryshuar në kufirin e 93 lekë për litër. Ndërkohë në pikat e shumicës, nafta tregtohet me 216 lekë për litër, dhe benzina me 199 lekë për liter. Mbledhja e ardhshme e bordit do të jetë në 23 mars, ku do të ketë një rishikim të çmimit me qëllim pasqyrimin në çmimin e shitjes, të ndryshimeve të mundshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Organet e përcaktuara me ligj, pra Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut do kontrollojnë zbatimin e vendimeve të Bordit, qoftë nëpërmjet verifikimit të faturave të prera nga pikat e karburanteve apo edhe nëpërmjet kontrolleve të thelluara në terren. Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm, Rama ka paralajmëruar se do të sekuestrohen pikat e karburenteve që nuk respektojnë çmimin e vendosur nga bordi.

SHARE