DUKAJ: BASHKËPUNIMI MIDIS MALIT TË ZI DHE REPUBLIKËS ÇEKE, NJË HAP DREJT FORCIMIT TË SIGURISË KIBERNETIKE

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Në nivel rajonal dhe ndërkombëtar, askush nuk është i izoluar nga kërcënimet kibernetike, prandaj është shumë i rëndësishëm krijimi i bashkëpunimit ndërmjet Qendrës Operative të Sigurisë Qeveritare (G-SOC) dhe Agjencisë Çeke të Sigurisë Kibernetike, shkëmbimi i përvojave dhe organizimi i trajnimeve të përbashkëta.

Kështu deklaroi ministri i Administratës Publike Marash Dukaj, gjatë vizitës së Presidentit të Republikës së Çekisë, Peter Pavel.

Dukaj rikujtoi se ideja për krijimin e kësaj qendre lindi dy vite më parë, menjëherë pas sulmit të madh ndaj infrastrukturës qeveritare të IT-së në gusht të vitit 2022.

“Kemi nderin dhe privilegjin t’ju prezantojmë G SOC, pikërisht Ju, President Pavel, i cili si ushtar profesionist, si shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Republikës Çeke dhe si Kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s, keni patur mundësi të adresonin kërcënimet kibernetike, por edhe të transferoni njohuri për të gjitha format e luftës moderne, ndër të cilat një sfidë e veçantë është ajo kibernetike”, theksoi Dukaj.

Ai theksoi se falë vizionit dhe veprimit, si dhe mbështetjes nga BE-ja dhe partnerët e tjerë, Mali i Zi nuk mund të jetë më kurrë aq i pambrojtur sa gjatë sulmit kibernetik në 2022. Miratimi i Ligjit për Sigurinë e Informacionit, i cili është i harmonizuar me Direktivën NIS2 të BE-së, është bazë për progres dhe ngritje të kapaciteteve.

“Ky është edhe kusht për themelimin e Agjencisë për Sigurinë Kibernetike dhe përpjekjet tona aktuale janë duke shkuar në atë drejtim. Po ashtu, do të doja ta shfrytëzoja këtë takim për të propozuar vendosjen e bashkëpunimit ndërmjet CIRT të Qeverisë së Malit të Zi dhe NUKIB (Agjencia Çeke e Sigurisë Kibernetike) në fushën e shkëmbimit të informacioneve. Gjithashtu, propozoj edhe një vizitë të përfaqësuesve të G SOC-it të Malit të Zi me G SOC-un çek, për të mësuar rreth funksionimit të këtij institucioni çek dhe aplikimit të mundshëm të praktikave të mira në vendin tonë”, tha Dukaj.

Presidenti çek e falënderoi ministrin Dukaj për mikpritje dhe shprehu kënaqësinë e tij për progresin që Mali i Zi ka arritur në këtë fushë në një kohë të shkurtër.

“Unë jam i vetëdijshëm për përvojën malazeze që keni fituar gjatë sulmeve kibernetike në shkallë të gjerë dhe dua të shkëmbej pikëpamjet mbi përgjigjet efektive dhe të ndaj praktikat më të mira. Me këtë që kemi ardhur për të vizituar G-SOC, po e bëjmë të qartë se jemi gati për bashkëpunim të përbashkët, veçanërisht në fushën e sigurisë kibernetike dhe digjitalizimit”, tha Pavel.

SHARE