BORRELL: NUK KA MARRËVESHJE MES KOSOVËS DHE SERBISË

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se Kosova dhe Serbia nuk arritën ndonjë marrëveshje për çështjen e targave dhe për këtë hodhi përgjegjësinë sidomos te pala kosovare. Borrell priti të hënën në Bruksel kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. “Pas shumë orë diskutimesh, dy palët nuk u pajtuan për zgjidhjen sot”, tha Borrell, duke shtuar se një gjë e tillë lë “vakum shumë të rrezikshëm sigurie në një situatë tashmë të brishtë”. “Për hir të transparencës, ne parashtruam një propozim që mund ta shmangte këtë situatë të rrezikshme. Presidenti Vuçiq e pranoi, por për fat të keq kryeministri Kurti nuk e pranoi”, tha Borrell për gazetarët. Edhe pse nuk ka marrëveshje, ai tha se kërkon nga Kosova që menjëherë “t’i pezullojë fazat e mëtejshme” të planit për riregjistrimin e makinave në veri të Kosovës, ndërsa nga Serbia “të pezullojë lëshimin e targave” të reja, të tilla si KM, që në Kosovë konsiderohen të paligjshme. “Unë u kërkoj të dya palëve t’i zbatojnë këto dy kërkesa. Kjo do të ofrojë hapësirë dhe kohë për to që të kërkojnë zgjidhje të qëndrueshme për çështjen e targave”, tha Borrell. Ai tha se “do t’i informojë shtetet anëtare [të BE-së], partnerët, për sjelljen e palëve dhe mosrespektimin e detyrimit ligjor ndërkombëtar”. “Kjo vlen veçanërisht për Kosovën”, tha kryediplomati evropian.

SHARE