PAS 120 VITESH MALI I ZI DO TË FITOJË LIGJIN PËR QEVERINË

“Mali i Zi për herë të parë do të fitojë Ligjin për Qeverinë, i cili do të rregullojë qartë veprimet e ekzekutivit dhe do të kufizojë keqpërdorimin e pushtetit të tij”, u vlerësua në tryezën e rrumbullakët me rastin e diskutimit publik mbi Projektligjin për Qeverinë.

“Projektligji që është në diskutim publik është i vetmi ligj sistematik të cilin Qeveria aktuale e Malit të Zi e ka punuar me procedurë transparente dhe që ka parë dritën e ditës. Ngjarjet aktuale politike japin shumë ide se çfarë duhet të standardizohet, veçanërisht për punën e Qeverisë në mandatin teknik. Seancat përmes Viber dhe WhatsApp nuk mund të jenë mënyrë për të punuar dhe për të marrë vendime të rëndësishme”, tha zëvendëskryeministri për sistemin politik dhe politikën e brendshme, Rashko Konjeviq. Ai theksoi se përvojat e dy viteve të fundit tregojnë se mungesa e traditës demokratike dhe teprica e papërvojës dhe sipërfaqësisë e bëjnë shumë të nevojshme ekzistencën e këtij ligji.

Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, tha se Principata e Malit të Zi e ka pasur Ligjin për Qeverinë qysh në vitin 1902 dhe është shkatërruese që Mali i Zi, si një vend modern, anëtar i aleancës së NATO-s, që sigurisht është në rrugë të mbarë drejt Bashkimit Evropian, deri më tani nuk ka pasur zgjidhje ligjore që përshkruajnë mënyrën e funksionimit të Qeverisë. “Shumë qeveri deri më tani kanë filluar historinë e përgatitjes së këtij ligji, disa kanë filluar edhe aktivitete të caktuara, por kjo Qeveri ka ndërmarrë hapa konkretë dhe si një nga prioritetet më të rëndësishme ka vendosur punën për këtë tekst ligjor,” tha ministri Dukaj. Ministri Dukaj theksoi se me këtë ligj do të rregullohen çështjet që kanë të bëjnë me përbërjen e Qeverisë, mandatin, organizimin, mënyrën e punës, vendimmarrjen, marrëdhëniet me organet tjera shtetërore, si dhe çështje të tjera me rëndësi për punën e saj. “Edhe pse deri më tani nuk kemi pasur ligj për Qeverinë, ka pasur rregullore të shumta që e kanë rregulluar këtë fushë, siç është Kushtetuta, si akti më i lartë juridik, pastaj Rregullorja e Punës së Qeverisë. Mirëpo, çështja që nuk është rregulluar deri më tani, prandaj është një nga risitë më domethënëse të këtij ligji, është rregullimi i statusit të Qeverisë së cilës i ka përfunduar mandati”, tha ministri Dukaj.

Pjesëmarrësit e tryezës së rrumbullakët paraqitën propozime dhe sugjerime për përmirësimin e zgjidhjes së propozuar ligjore. Diskutimi publik për tekstin e Projektligjit për Qeverinë ka filluar më 21 shtator 2022 dhe do të zgjasë 40 ditë, deri më 31 tetor 2022. 

SHARE