Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, do të jetë në rend dite në takimin e Këshillit Evropian, që zhvillohet të enjten dhe premten në Bruksel.
Po ashtu, pajtueshmëria e arritur mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, më 18 mars në Ohër, për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, do të jetë pjesë e konkluzave të këtij takimi të liderëve të BE-së.
“Këshilli Evropian mirëpret marrëveshjen e arritur në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian për aneksin e implementimit të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, dhe u bën ftesë të dyja palëve që në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim, të implementojnë obligimet e tyre përkatëse”, përmendet në draft të raportit.
Krerëve të shteteve anëtare të BE-së, do t’iu raportojë në këtë temë edhe kryediplomati i bllokut evropian, Josep Borell.