MINISTRI DUKAJ: FORCIM I KAPACITETEVE KOMBËTARE PËR SIGURINË KIBERNETIKE

Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, hapi sot konferencën rajonale “Mbështetja e BE-së për Ballkanin Perëndimor, ndërtimi i kapaciteteve të sigurisë kibernetike”.

“Vitin e kaluar kemi përjetuar sulme kibernetike të pashembullta dhe të rënda në infrastrukturën e IT-së të Qeverisë së Malit të Zi. Mësimet e nxjerra gjatë dhe pas këtyre sulmeve ishin të vlefshme në ndërtimin e qëndrueshmërisë së ardhshme të infrastrukturës sonë. E kuptuam gjatë sulmit se duhet të jemi të bashkuar me miqtë tanë nga bashkësia ndërkombëtare, të shkëmbejmë përvoja dhe njohuri, të ndjekim trendet moderne në këtë fushë dhe të jemi në hap me kohën kur bëhet fjalë për organizimin e sistemeve të sigurisë kibernetike”, tha ministri Dukaj.

Ai theksoi se është duke u hartuar legjislacion i ri, i cili do të rregullojë çështjen e sigurisë kibernetike në Mal të Zi në përputhje me përvojat më të mira të Bashkimit Evropian.

“Ministria e Administratës Publike dhe Qeveria e Malit të Zi, plotësisht të vetëdijshme për rëndësinë e kësaj teme, e kanë vendosur sigurinë kibernetike lart në agjendën e prioriteteve tona”, tha ministri Dukaj.

Ministri Dukaj tha se është formuar ekipi i reagimit ndaj incidenteve kompjuterike (CIRT) i Qeverisë me një regjim monitorimi 24/7 të infrastrukturës qeveritare dhe rrjetit të organeve shtetërore, dhe në përputhje me ligjin e ri, deri më 1 janar 2024 do të formohet Agjencia për Sigurinë Kibernetike.

“E gjithë bota po përballet me sfida të sjella nga aktorë keqdashës në hapësirën kibernetike dhe është e nevojshme një përgjigje unike, e cila kërkon bashkëpunim efektiv ndërkombëtar dhe rajonal, por edhe forcimin e kapaciteteve kombëtare për sigurinë kibernetike, si dhe shkëmbimin e përvojave, njohurive dhe adoptimi i praktikave më të mira. Në këtë kuptim, pres që seminari i sotëm të japë një impuls shtesë, si dhe që përmes aktiviteteve të tjera të projektit “Cyber΄Balkan”, të forcojmë qëndrueshmërinë kibernetike të vendeve tona për kënaqësinë e qytetarëve tanë”, tha Dukaj.

SHARE