BE: SERBIA DHE KOSOVA ARRIJNË MARRËVESHJE PËR ENERGJINË NË VERI

Bashkimi Evropian njoftoi të mërkurën se Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe kompania serbe, Elektrosever, në Mitrovicën e Veriut, kanë arritur marrëveshje teknike për zbatimin e Udhërrëfyesit për Marrëveshjen për Energjinë midis Kosovës dhe Serbisë. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, sipas BE-së, Elektrosever ka dorëzuar te KOSTT-i të dhënat e konsumatorëve në veri, ashtu siç parashihet edhe me Udhërrëfyes. BE-ja tha se marrëveshja është arritur nën ndërmjetësimin e saj, pasi Kosova ka nisur procedurat për t’i hequr licencën kompanisë serbe, Elektrosever, për shkak të mospërmbushjes së kritereve të parapara me Udhërrëfyes. Sipas nenit 8 të Udhërrëfyesit, nëse Elektrosever nuk do t’i përmbushte kriteret e parapara me Udhërrëfyesin 100 ditë pas marrjes së licencës – gjë që edhe ka ndodhur – atëherë do të zhvilloheshin konsultime 15-ditore nën ndërmjetësimin e BE-së, dhe pas kësaj periudhe, Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE) do të mund të vendoste për pezullimin apo tërheqjen e licencës për Elektrosever-in. Blloku evropian ka bërë thirrje që palët t’i zbatojnë pa vonesa të gjitha detyrimet që dalin nga Udhërrëfyesi, pasi me afrimin e stinës së dimrit, sipas BE-së, nuk ka kohë për të humbur. Më 21 qershor, Kosova dhe Serbia nënshkruan Udhërrëfyesin për zbatimin e Marrëveshjes së Energjisë, që ishte arritur më 2013 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.

SHARE