DY TË VRARË DHE TRE TË PLAGOSUR NGA NJË SHPËRTHIM NË CETINË

Si pasojë e aktivizimit të një pajisjeje shpërthyese në Cetinë, janë vrarë dy persona dhe tre të tjerë janë plagosur, bëri të ditur policia. 

Petar Kallugjeroviq dhe Dragan Roganoviq janë vrarë, njëri në vendin e ngjarjes, ndërkaq tjetri u dërgua në spital, por nuk u mbijetoi plagëve të marra.  

Autoritetet shëndetësore në Mal të Zi njoftuan se të gjithë të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetë.

Shpërthimi ndodhi pas orës 09:00 të 20 qershorit në hyrje të Qendrës së Sportit, që gjendet afër një shkolle fillore dhe një stacioni të autobusëve.

“Zyrtarët e Drejtorisë së Policisë, në koodinim me Zyrën e Prokurorit të Shtetit në Podgoricë po ndërmarrin masa dhe veprime intensive, për të cilat opinioni do të informohet”, njoftoi policia.

Një numër i madh i zyrtarëve policorë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe autoritetet kanë nisur hetimet për këtë shpërthim.

Për shkak të fuqisë së shpërthimit, xhamat në ndërtesën e Qendrës së Sportit janë thyer dhe një pemë është rrëzuar.

Televizioni shtetëror i Malit të Zi la të kuptohet se shpërthimi është i lidhur me grupet kriminale të këtij vendi të përfshira në kontrabandën e narkotikëve.

Sipas raportimit, “disa nga viktimat ishin të porsaliruar nga burgu”.

SHARE