Procedurat e prokurimit, mungesa e koordinimit ndërmjet institucioneve dhe problemet me sigurimin e tokës po pengojnë zbatimin e investimeve publike të mbështetura nga Bashkimi Evropian në Shqipëri.
Këto janë disa nga problematikat e evidentuara nga misioni monitorues i Drejtorisë së Përgjithshme të Komisionit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Lindore, i cili shqyrtoi investimet e financuara përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor.
Gjatë misionit u evidentua se pengesat në procedurat e prokurimit dhe mangësitë në koordinimin institucional vijojnë të shkaktojnë vonesa në zbatimin e projekteve.
Sipas revistës Monitor, Komisioni Evropian ka evidentuar gjithashtu se sigurimi dhe shpronësimi i tokës po ndikojnë në afatet e realizimit të projekteve në sektorët e energjisë dhe transportit, duke vonuar përfundimin e tyre dhe rezultatet konkrete në terren.
Një tjetër problem lidhet me kapacitetet institucionale, veçanërisht sa i përket përgatitjes dhe zbatimit të projekteve hekurudhore.
Për këtë sektor kërkohet forcimi i strukturave përgjegjëse dhe përgatitja më e plotë e projekteve përpara kalimit në fazën e financimit.
Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor është një nismë e përbashkët e Bashkimit Evropian, institucioneve financiare, donatorëve dypalësh dhe vendeve përfituese, që synon financimin e zhvillimit ekonomik dhe afrimin e rajonit me BE-në.
Megjithatë, problematikat e evidentuara tregojnë se Shqipëria vijon të përballet me vështirësi në procedurat administrative dhe institucionale, duke komplikuar zbatimin e projekteve dhe përfitimin në kohë nga fondet evropiane.









