MALI I ZI NËNSHKROI DEKLARATËN PËR FËMIJËT, RININË DHE NDRYSHIMET KLIMATIKE

Në përgjigje të ndikimit në rritje dhe unike të krizës klimatike tek fëmijët, Qeveria e Malit të Zi iu bashkua sot më shumë se 40 vendeve në mbarë botën që nënshkruan Deklaratën për Fëmijët, Rininë dhe Ndryshimet Klimatike.

Deklarata u nënshkrua në një aktivitet me të rinj të organizuar në Podgoricë.

Deklarata e cila u nënshkrua sot në Podgoricë, është garanci e përkushtimit të Qeverisë për përfshirjen aktive të kësaj popullate, e cila është më e ekspozuar ndaj pasojave të ndryshimeve klimatike, në zgjidhjen e problemit, tha zëvendëskryeministri Dragosllav Shqekiq.

Ai tha se me nënshkrimin e Deklaratës, Mali i Zi merr përsipër të bashkëpunojë me UNICEF-in për t’u dhënë fëmijëve dhe të rinjve një shans për të krijuar politika dhe aktivitete klimatike.

Shqekiq theksoi se të rinjtë dhe fëmijët janë kategoria më e cenueshme e popullsisë nga ndryshimet klimatike, e cila vuan pasojat më të rënda.

Ai tha se sondazhet e opinionit publik tregojnë se problemi më i madh është ndotja e ajrit.

“Besohet se në Ballkan mbi 90 për qind e fëmijëve thithin ajër të keq. Ne jemi të detyruar ta tejkalojmë atë, në nivel ndërkombëtar dhe si shtet”, tha Shqekiq.

Ministri i Turizmit, Ekologjisë, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Zhvillimit të Veriut, Vladimir Martinoviq, tha se Deklarata është një hap kyç në fuqizimin e të rinjve dhe përfshirjen e tyre në proceset vendimmarrëse lidhur me sfidat klimatike.

“Ndryshimet klimatike nuk janë vetëm një sfidë globale, por edhe detyrimi ynë moral ndaj brezave të ardhshëm. Ato kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në mjedis, ekosistemet dhe jetën tonë të përditshme”, tha Martinoviq.

Ai theksoi se Mali i Zi, si një vend i vogël në zhvillim, është veçanërisht i ndjeshëm ndaj pasojave të ndryshimeve klimatike, për shkak të pozitës së tij gjeografike dhe socio-ekonomike.

Ai theksoi se fëmijët janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj ndryshimeve klimatike dhe se zëri dhe angazhimi i të rinjve është thelbësor për një të ardhme të qëndrueshme.

SHARE