Policia e Kosovës: Në veri është vendosur edhe një barrikadë e re

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë natës së fundit ka vazhduar vendosja edhe e një barrikade të re në veri të vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas Policisë, barrikada e re është vendosur në lagjen Berxhane e cila shpie për në Zveçan e cila “po vazhdon të pengojë lirinë e lëvizjes së lirë edhe në rrugët alternative, duke vështirësuar edhe më tej jetën e qytetarëve në veri të vendit”.

Sipas këtij institucioni, situata e sigurisë vazhdon të jetë e njëjtë në dy pikat kufitare të Kosovës me Serbinë, në Jarinje dhe Bërnjak, të cilat vazhdojnë të jenë të mbyllura për qarkullim për shkak të vendosjes së barrikadave të mëhershme nga ata që Policia i konsideron si grupe kriminale.

“Vendosja e barrikadave vazhdon të cenojë lirinë e lëvizjes së lirë, e po ashtu të pamundësojë hyrje-daljet në dy pikat kufitare të qytetarëve dhe mallrave”, njofton Policia e cila shton se po angazhohet në ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët dhe vendit, sipas mandatit të saj ligjor dhe kushtetues.

Gjatë ditës, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një reagim në rrjetet sociale tha se çdo çast i kaluar nën bllokim të barrikadave të ngritura nga grupe të armatosura e kriminale në veri është i tepërt.

“Institucionet e Republikës së Kosovës i kanë të gjitha kapacitetet për t’i larguar barrikadat dhe në koordinim me partnerët tanë ndërkombëtar janë duke vlerësuar situatën për reagim adekuat”, theksoi ministri Sveçla, duke nënvizuar se veriu i vendit, si çdo cep i Kosovës, “duhet të kthehet sa më shpejt në normalitet”.

Barrikadat në veri të vendit në rrugët që çojnë drejtë dy pikave kufitare Jarinje dhe Bërnjak u vendosën nga 10 dhjetori nga serbët lokalë si përgjigje ndaj arrestimit të ish-policit Dejan Pantiq nga autoritetet e rendit në Kosovë, të cilit i është shqiptuar masa e paraburgimit prej një muaji.

SHARE