MILLATOVIQ: FORCIMI I INSTITUCIONEVE ËSHTË I NEVOJSHËM PËR MBROJTJEN E DEMOKRACISË

Presidenti i Shtetit, Jakov Millatoviq, bashkëkryesoi me kryetarin e Këshillit Evropian, Charles Michel, panelin “Mbrojtja dhe Sigurimi i Demokracisë”, i cili u mbajt në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian.

Për herë të parë, Malit të Zi iu dha nderi të drejtojë një nga panelet në këtë ngjarje të rëndësishme politike.

Në fjalimin e tij para të pranishmëve, Millatoviq theksoi se parimet e demokracisë që sollën prosperitet, paqe dhe drejtësi janë të kërcënuara nga shumë drejtime dhe se është detyrë e liderëve dhe shtetarëve që t’i mbrojnë me vendosmëri këto parime.

Ai theksoi se demokracia nuk është vetëm një sistem qeverisjeje, por një pasqyrim i vlerave kolektive, të cilat dëshmojnë përkushtimin tonë ndaj të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës.

Presidenti Milatoviq tha se në Mal të Zi sot po përballemi me sfida nga brenda dhe jashtë, se në planin e brendshëm shohim ngritje të populizmit ekonomik, nacionalizmit, gërryerje të besimit në institucionet publike dhe përhapjen e dezinformatave, ndërsa në të njëjtën kohë ndeshemi me manovra gjeopolitike që synojnë të minojnë institucionet tona demokratike.

Në këtë kuptim, ai tha se është e nevojshme të forcohen institucionet për të mbrojtur demokracinë në vendin tonë dhe se një gjyqësor i pavarur, një proces zgjedhor i lirë dhe i drejtë dhe një shoqëri civile vigjilente janë gurthemeli i një demokracie të shëndetshme.

Ai tha gjithashtu se Mali i Zi, si një anëtar krenar i komunitetit ndërkombëtar, mbetet i përkushtuar për të punuar me aleatët për të ruajtur sigurinë kolektive, e cila do të përmirësojë rezistencën ndaj kërcënimeve të jashtme.

SHARE