OKB PËR ZHVILLIMIN DIGJITAL, RAMA: SHQIPËRIA E TETA NË EUROPË

Shqipëria është renditur në vendin e tetë në Europë dhe të nëntëmbëdhjetin në botë për zhvillimin digjital, në raportin e hartuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Kryeministri Edi Rama ka publikuar në Facebook raportin, teksa shkruan se Shqipëria e sporteleve me hekura, tashmë i përket së shkuarës. “Lajm shumë i mirë. Këto tabela janë nxjerr nga Raporti i Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin Digjital të vendeve anëtare. Shqipëria renditet e 8-ta në Europë dhe e 19-ta në botë për Shërbimet Publike Online, një lajm shumë i bukur për t’u përcjellë nga kanalet e nga portalet që nxijnë përditë nga balta e gjysmë të vërtetave, sajesave, akuzave, sharjeve e banaliteteve gjithëfarësoj. Por më e rëndësishme akoma, një lajm për të vërtetën e madhe dhe të mohuar masivisht, se Shqipëria e sporteleve me hekura, e turmave nëpër radha për të marrë një copë letër, e bakshisheve për çdo shërbim në sportel i takon të shkuarës”, shkruan Rama. Teksa pranon se ka ende punë për të bërë kundër korrupsionit dhe forcimit të administratës, kreu i qeverisë thekson se megjithatë, për 95% të shërbimeve publike, vendi ynë e ka zhdukur korrupsionin. Rama ndalet edhe te sulmet kibernetike të Iranit, ndërsa i drejtohet kritikëve duke thënë se ai sulm erdhi përkatësisht për shkak të zhvillimit të Shqipërisë sa i përket dixhitalizimit dhe se dështoi prej investimeve të duhura të ndërmarra nga qeveria në këtë drejtim.

SHARE