Arsimi i lartë publik në Kosovë do të jetë pa pagesë, nisur nga 1 tetori i këtij viti. Duke shpallur vendimin e Qeverisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti sqaroi se shkollimi pa pagesë do të vlejë për të gjithë ata që duan të studiojnë në nivelet “bachelor” dhe “master”. Për studentët e doktoratës do të ketë lehtësime të veçanta, tha Kurti. Ai shtoi se ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e Kosovës, Arbërie Nagavci, ka nënshkruar tashmë udhëzimin administrativ, me të cilin “arsimi i lartë do të bëhet njësoj i qasshëm për të gjithë”. “Kjo padyshim se kontribuon në barazinë sociale në vend”, tha Kurti. “Ne besojmë se në këtë formë, nxisim interesimin për studime të larta, duke përmirësuar kësisoj nivelin e përgjithshëm arsimor të popullsisë sonë”, shtoi ai. Në universitetet publike në Kosovë, studentët e nivelit “bachelor” kanë paguar deri më tani 25 euro për semestër, përveç vitit të parë të studimeve që ka qenë falas. Semestri për nivelin “master” ka kushtuar 150 euro, ndërsa për doktoraturë 500 euro.