Fiq të Thatë në Vargje – Metoda Natyrale e Tharjes Perfekte në Shtëpi

Fiqtë, janë ndër frutat më të dobishme për shëndetin e organizmit të njeriut.

Ato janë të pasur me hekur, kalçium dhe kalium, tre minerale thelbësore për organizmin.

Për më tepër, fiqtë kanë më shumë fibër se shumica e frutave dhe perimeve.

Tharja e tyre mundëson ruajtjen afatgjatë të shijes së tyre të ëmbël dhe vlerave të jashtëzakonshme.

Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni në detaje mënyrën dhe teknikat e tharjes së fiqve në kushtet e shtëpisë në dy mënyra të thjeshta.

Metoda E Parë

Në rastin kur fiqtë janë të pjekur por jo shumë të pjekur, prijini në mes deri tek pjesa e bishtit.

Më pas kalohen në vargje prej spangoje kuzhine.

Kjo metodë përgatitet me ujin e finjës, për të cilën do t’ju duhet të zjeni një gotë me hi në 1 litër ujë dhe më pas kullojeni.

Vendosni ujin e kulluar të finjës në zjarr që të zjejë sërish, sapo të nis të vlojë fusni vargjet e fiqve dhe lërini vetëm 1 minutë.

Më pas, largojini nga uji dhe varini në një hapësirë ku ka diell mjaftueshëm. Lihen derisa të thahen dhe ruhen në ambjente pa lagështirë dhe të errëta.

Metoda e Dytë

Në rastin kur janë shumue të pjekur, fiqtë duhen shpëlarë me ujë të bollshëm e të ftohtë dhe më pas të thahen me kujdes me letër kuzhine.

Më pas, fiqtë duhet t’i vendosni në një zgarë druri ose metalike kur më pare keni shtruar një letër kuzhine.

Zgara duhet vendosur në një vend të atillë që të mundësojë qarkullimin e pandërprerë të ajrit nga poshtë dhe lart.

Zgara e drunjtë ose metalike duhet vendosur në ambient të jashtëm e të ndriçuar mirë nga dielli për gjatë gjithë ditës.

Fiqtë nuk duhen mbajtur në hije sepse do të prishen.

Në mbrëmje, zgarën mund ta fusni brenda që të parandaloni dëmin e vesës dhe ta mbuloni me një letër kuzhine.

Për tre apo katër ditë me rradhë, fiqtë duhet t’i nxirrni në diell që në mëngjes që të thahen në mënyrë të njëtrajtshme, rekomandon AgroWeb.org.

Ato konsiderohen të tharë në momentin që lëkura e jashtme forcohet dhe tuli nuk nxjerr asnjë lëng pas shtrydhjes me gishta.

Fiqtë e tharë duhen mbajtur në qese të mbyllura ose në enë qelqi të mbuluara mirë me kapak.

Ato mund t’i mbani në frigorifer për disa muaj ose në ngrirje për deri në 3 vjet./AgroWeb.org

SHARE