Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, i cili ndodhet për një vizitë pune në Uashington, ka takuar disa anëtarë të njohur të Kongresit Amerikan, Shelley Pingree, Bill Keating, Doug Lamborn dhe Robert Adelhort, me qëllim të forcimit të marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet dy vendeve.
Gjatë takimeve të ndara, presidenti Millatoviq theksoi rëndësinë e thellimit të lidhjeve ndërmjet Malit të Zi dhe Kongresit Amerikan dhe vuri në dukje se duhet të ndërmerren hapa konkretë në këtë drejtim.
Ata diskutuan gjithashtu për përmirësimin e bashkëpunimit politik, rritjen e investimeve amerikane në Mal të Zi, si dhe forcimin e lidhjeve ekonomike.
“U ra dakord që të dyja palët të punojnë në forcimin e mbështetjes institucionale përmes hapave konkretë që do të ndërmerren në periudhën e ardhshme. Presidenti Millatoviq shprehu mirënjohjen e tij për partnerët amerikanë për mbështetjen e deritanishme dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të dialogut dhe bashkëpunimit në të gjitha nivelet. Ai vlerësoi se miratimi i Ligjit për Demokraci dhe Prosperitet të Ballkanit Perëndimor, i cili tashmë është iniciuar në Senat, do të ishte një tregues i qartë i përkushtimit të SHBA-së për të forcuar më tej lidhjet ekonomike me vendet e rajonit dhe për të ofruar mbështetje për zhvillimin tonë demokratik”, thuhet në njoftim.
Gjatë bisedimeve u theksua rëndësia e rajonit të Ballkanit Perëndimor për mbrojtjen dhe sigurinë e Evropës, dhe bashkëbiseduesit ranë dakord se është e nevojshme të forcohet edhe më shumë qëndrueshmëria e Malit të Zi dhe vendeve të rajonit, përmes luftës kundër dezinformimit, forcimit të të institucioneve, sektorit të medias dhe afirmimit të konceptit të shoqërisë civile.