MALI I ZI HAP NJË SHTËPI PËR FËMIJË

Qeveria e Malit të Zi njoftoi sot se, me mbështetjen e UNICEF-it, Këshillit të Evropës dhe BE-së, do të prezantojë një shërbim të ri multidisiplinar të quajtur Barnahus (shtëpia e fëmijëve) për t’u ofruar fëmijëve viktima dhe dëshmitarë të dhunës, abuzimit dhe shfrytëzimit seksual mbështetje të përshtatur për fëmijën, në përputhje me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e fëmijëve.

“Mali i Zi dëshiron të shprehë përkushtimin e tij të plotë për përmbushjen e detyrimeve të tij në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian me këtë aktivitet, pra marrjen e modelit Barnahus. Sektori i punëve të brendshme, shëndetësia, drejtësia, mbrojtja sociale dhe e fëmijëve, arsimi, parlamenti, komuniteti akademik, komuniteti lokal, sektori privat, media dhe të tjerë, duhet të punojmë të gjithë së bashku për të parandaluar dhe për t’iu përgjigjur dhunës”, tha në hapjen e konferencës zëvendëskryeministri i Malit të Zi dhe kryetari i Këshillit për të Drejtat e Fëmijëve Dragosllav Shqekiq.

Sipas UNICEF-it, Barnahus ofron mbrojtje për fëmijët në një mënyrë që është plotësisht në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut të përshkruara nga Konventa e OKB-së për të Drejtat e Fëmijës.

“Bashkimi Evropian mbështet Malin e Zi në parandalimin e dhunës dhe mbrojtjen e fëmijëve nga të gjitha format e dhunës dhe abuzimit. Ne mirëpresim krijimin e një Shtëpie për Fëmijë të bazuar në modelin Barnahus. Mali i Zi ka nevojë për një sistem gjithëpërfshirës të mbrojtjes që do të integrojë shtëpi të tilla në vazhdimësinë e kujdesit për fëmijët që kanë nevojë,“ tha ambasadorja e BE-së në Mal të Zi, Oana Kristina Popa në konferencën e sotme.

SHARE