OSMANI: NUK DO TË NDALET LUFTA PËR DREJTËSI PËR VIKTIMAT E DHUNËS SEKSUALE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është zotuar se nuk do të ndalet lufta për drejtësi, për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Numri i saktë i grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë nuk dihet, por përgjatë viteve të pasluftës organizata të ndryshme vendëse e ndërkombëtare kanë thënë se numri mund të arrijë deri në 20 mijë.

Osmani ka thënë të mërkurën se dhunuesit menduan që përmes dhunës seksuale mund ta çnderojnë Kosovën, por “në fakt asnjëherë nuk kanë arritur dhe nuk do të arrijnë të bëjnë një gjë të tillë”.

“Ju jeni heroinat, ju jeni krenaria dhe ju jeni vetë nderi i Kosovës”, ka thënë Osmani, duke iu drejtuar viktimave.

Ajo i ka bërë këto deklarata në konferencën ndërkombëtare mbi dhunën seksuale në konflikt, të organizuar për 25-vjetorin e Qendrës Kosovës për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).

Presidentja Osmani e ka falënderuar Qendrën për punën e bërë, dhe ka thënë se ajo ka shërbyer ndër vite si shtëpi e sigurt dhe vendstrehim për viktima të panumërta, që kanë gjetur mbështetjen dhe janë siguruar që mund të flasin para popullit të Kosovës dhe para botës, për atë që u ka ndodhur.

“Duhet të luftojmë që historia mos të përsëritet. Padrejtësitë asnjëherë nuk duhet të kalojnë në heshtje, dhe drejtësia, e dimë të gjithë, nuk arrihet, pa i mbajtur autorët përgjegjës për krimet e bëra. Fokusi ynë i përbashkët duhet të jetë të lufta për drejtësi”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka vlerësuar lart viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, duke thënë se përkundur traumave të pashlyeshme, “të mbijetuarat kanë treguar forcë të jashtëzakonshme për të nisur jetë të re”.

SHARE