MILLATOVIQ: THIRRJA PËR BOJKOT ËSHTË NJË VEPRIM I PALIGJSHËM

Presidenti i Malit të Zi Jakov Millatoviq u bëri thirrje aktorëve politikë që të ndalojnë politizimin e zbatimit të regjistrimit të popullsisë, i cili fillon më 1 nëntor. Ai përsërit se bëhet fjalë për statistika dhe se thirrja për bojkot është thirrje për veprime të paligjshme.

“Unë besoj se jemi një shoqëri mjaft e pjekur demokratike dhe se qytetarët tanë nuk duhet të nënvlerësohen. Mendoj se ekzistojnë të gjitha kushtet që çdo qytetar të shprehet lirshëm ashtu siç e ndjen në raport me qëndrimin kombëtar, fenë dhe gjuhën që flet”, ka thënë Millatoviq.

Ai u bëri thirrje të gjithë aktorëve politikë që të ndalojnë politizimin e çështjes së regjistrimit.

“Unë besoj se nëse ka pasur ndonjëherë liri të fjalës dhe mendimit në Mal të Zi në 20 vitet e mëparshme, ajo ekziston edhe sot”, tha presidenti i Malit të Zi.

Po ashtu, kryeministri Dritan Abazoviq vlerësoi se regjistrimi i popullsisë nuk është proces zgjedhor dhe për këtë arsye nuk duhet të jetë pjesë e ndonjë lufte politike, numërimi apo pushkatimi.

“Mali i Zi është një vend që është krenar për dallimet shekullore dhe harmoninë e tyre, pasurinë e ndikimit të kulturave dhe qytetërimeve të shumta. Prandaj është e rëndësishme që shoqëria të politizohet sa më pak dhe të bëhet gjithnjë e më e lirë. U bëj thirrje të gjithëve që në atë frymë të përhapim dashuri dhe respekt të ndërsjellë, me përpjekje të përbashkëta”, tha Abazoviq.

Ai ftoi të gjithë besimtarët, agnostikët, ateistët, qytetarët e të gjitha përkatësive kombëtare apo etnike që të deklarohen lirshëm në regjistrim, ashtu siç vetëm ata e konsiderojnë të përshtatshme.

SHARE