Më shumë se gjysmë milioni njerëz kanë bërë kërkesë për azil në shtetet e BE-së në gjysmën e parë të vitit 2024. Krahasuar me gjysmën e parë të 2023, numri i personave që kërkojnë azil ka rënë.
Në Gjermani, numri i aplikimeve ra me një të pestën krahasuar me një vit më parë, ndërsa në Itali numri u rrit me një të tretën.
Në gjysmën e parë të vitit, aplikimet nga sirianët u rritën me 7% krahasuar me vitin 2023, ndërsa të dytët janë afganët me 45,000 kërkesa për azil.
Kriza ekonomike dhe lufta civile kanë shkaktuar një eksod të ri mes të rinjve që jetojnë në zonat e kontrolluara nga regjimi i Damaskut. Nga ana tjetër edhe afganët, jeta e të cilëve është vështirësuar nën regjimin taleban kërkojnë një jetë më të mirë në Evropë.
Ajo që bie në sy është numri i lartë nga Amerika Latine që kërkojnë azil në BE duke përfshirë 37,000 venezuelianë dhe 29,000 kolumbianë në gjysmën e parë të vitit.
Shifrat nuk përfshijnë rreth 4.5 milionë njerëz nga Ukraina, që kanë kërkuar strehim në BE dhe kanë marrë mbrojtje të përkohshme, që kur Rusia nisi agresionin e saj në Shkurt të vitit 2022.
Të dhënat e reja të Agjencisë së BE-së për Azil përfshijnë shifra nga të gjitha vendet e BE-së, ashtu si dhe nga Norvegjia dhe Zvicra, të cilat nuk janë pjesë e bllokut.