NGA SOT ËSHTË NË PËRDORIM NJË CERTIFIKATË E RE E PËRMIRËSUAR PËR QËNDRIMIN E FËMIJËVE NË INSTITUCIONET PARASHKOLLORE

Instituti i Shëndetit Publik njoftoi se nga sot është në përdorim një certifikatë e re për qëndrimin e fëmijëve në institucionet parashkollore, e cila është krijuar me sugjerim të ISHP-së dhe Qendrës Shëndetësore të Kryeqytetit.

Siç sqaruan ata, kjo certifikatë është përmirësuar në mënyrë që tashmë sistemi elektronik gjeneron automatikisht të dhënat për statusin e vaksinimit të fëmijës.

“Në bazë të këtyre të dhënave jepen këshilla dhe rekomandime me shkrim për prindërit dhe kujdestarët. Qëllimi i certifikatës dhe target grupi të cilit i është lëshuar ka mbetur i pandryshuar, pasi që këto ndryshime nuk janë në kompetencën e institucioneve të përmendura”, ka thënë ISHP.

Sipas tyre, këto ndryshime u bënë me qëllim të përmirësimit të komunikimit dhe dhënies së këshillave të qarta për prindërit, për t’i orientuar ata drejt vendimeve që janë në interesin më të mirë të fëmijëve dhe të gjithë komunitetit.

“Këshillojmë prindërit që vonojnë vaksinimin e fëmijës që të vaksinojnë sa më shpejt fëmijën e tyre dhe të mos e çojnë fëmijën në grupe (kopshte fëmijësh, ambiente argëtuese dhe sportive-rekreative, udhëtime, ekskursione) derisa të përfundojë vaksinimi i përshtatshëm për moshën. Fëmija i pavaksinuar është i ekspozuar ndaj rrezikut të lartë për t’u prekur nga sëmundjet infektive si fruthi, duke e transmetuar kështu sëmundjen te të tjerët në mjedisin e tij”, shtoi Instituti.

Ata theksojnë se vaksinimi i rregullt i fëmijëve kontribuon ndjeshëm në mbrojtjen e shëndetit, parandalon përhapjen e sëmundjeve infektive dhe siguron mirëqenie si për individin ashtu edhe për shoqërinë në tërësi.

„Ky është qëndrimi i të gjitha institucioneve relevante shëndetësore publike në botë”, përfundon deklarata e Institutit të Shëndetit Publik.

SHARE