NË TUZ DO TË MBAHET KONFERENCË MBARËKOMBËTARE NË FUSHËN E ARKIVAVE

Në Tuz në muajin qershor do të organizohet konferenca e radhës mbarëkombëtare në fushën e arkivave, e cila do të mbledhë së bashku ekspertë, studiues dhe përfaqësues të institucioneve nga Shqipëria, Kosova dhe vende të tjera. Drejtoresha e Drejtorisë së Evidencës Qendrore dhe Komunikimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, Elsa Saka, në një deklaratë për mediat dha detaje për qëllimin dhe tematikat e konferencës. “Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës dhe Komunën e Tuzit më datë 5 qershor 2021 do të zhvillojnë Konferencën e pestë Mbarëkombëtare të Arkivistikës. Qëllimi i kësaj konference është të mbledhë ekspertët dhe studiuesit e arkivave të vendeve shqipfolëse dhe të arkivave të rajonit të cilët diskutojnë çdo vit për problematikat, metodologjinë e studimit, digjitalizimin, përmirësimin e infrastrukturës së përmbajtjes, inovacionit, si dhe vizionit të punës të arkivave në realitetet e sotme”, tha Saka. Saka tha se institucioni që ajo përfaqëson iu bën thirrje të gjithë studiuesve, nëpunësve të institucioneve dhe të gjithë të interesuarve të kësaj fushe të marrin pjesë në këtë konferencë me studime, ide dhe propozime. Temat e konferencës lidhen specifikisht me arkivistikën, si me historinë e arkivave apo institucionet arkivore, trashëgiminë arkivore të përbashkët, bashkëpunimi rajonal në fushën e arkivave, sigurinë kibernetike dhe administrimin e të dhënave, si dhe tema të tjera. Ekspertët dhe studiuesit e fushës së arkivave nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut mblidhen së bashku çdo vit për të diskutuar për problematikat dhe metodologjinë e studimit në fushën e arkivave. Konferenca të ngjashme janë organizuar në vitet e kaluara edhe në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup.

SHARE