Ukraina ka rezerva karburanti për rreth 20 ditë, deklaroi të premten në parlament Ministri i Energjisë, Denys Shmyhal, duke e përshkruar gjendjen e përgjithshme energjetike në vend si jashtëzakonisht të vështirë pas një serie sulmesh ruse me dronë dhe raketa ndaj infrastrukturës energjetike.
Shmyhal, i cili mori detyrën në fillim të kësaj jave, tha se situata më kritike paraqitet në kryeqytetin Kiev, në rajonet e Dnipropetrovskut, Kharkivit dhe Odesës, si dhe në qytetet pranë vijës së frontit.
Në këto zona, mijëra banesa kanë mbetur për ditë të tëra pa energji elektrike dhe pa ngrohje, në kushte temperaturash nën zero.
“Në disa qytete dhe rajone, përgatitjet për dimrin kanë dështuar. Gjatë dy ditëve të para në detyrë kam parë se shumë procese kanë ngecur,” deklaroi Shmyhal, duke shtuar se “nuk ka mbetur asnjë termocentral në Ukrainë që armiku të mos e ketë sulmuar”.
Të mërkurën, Presidenti Volodymyr Zelensky shpalli gjendje të jashtëzakonshme në sektorin e energjisë, me qëllim kompensimin e kohës së humbur dhe adresimin e ndërprerjeve të furnizimit me energji pas sulmeve të vazhdueshme ruse.
Shmyhal, i cili më parë ka shërbyer si kryeministër dhe ministër i Mbrojtjes, ka urdhëruar gjithashtu importe emergjente të energjisë elektrike për të stabilizuar situatën.






