NË BE PA TË DREJTË VETOJE, BE SHQYRTON ANËTARËSIMIN ME DY NIVELE, SHQIPËRIA E MBËSHTET

Bashkimi Europian po shqyrton një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën e zgjerimit të tij, duke hedhur në tryezë një model të ri anëtarësimi me dy nivele, i cili do t’u mundësonte vendeve kandidate të bëhen pjesë e Unionit pa përfituar menjëherë të drejta të plota vote.

Qëllimi i kësaj qasjeje është shmangia e bllokimeve në vendimmarrje, në një BE që pritet të zgjerohet ndjeshëm në vitet e ardhshme.

Sipas një analize të publikuar nga Politico, vendet që presin prej vitesh anëtarësimin në Bashkimin Europian janë të ndara në qëndrimet e tyre ndaj kësaj ideje.

Disa shtete këmbëngulin se anëtarësimi duhet të shoqërohet menjëherë me të gjitha të drejtat, ndërsa të tjera shprehen të gatshme të pranojnë një proces gradual, mjafton që të jenë pjesë e strukturave të BE-së.

Në Bruksel po shqyrtohet mundësia që vendet e reja anëtare të fitojnë të drejta të plota vendimmarrëse vetëm pasi Bashkimi Europian të ketë përfunduar reformat e brendshme institucionale, të cilat synojnë kufizimin e vetos dhe lehtësimin e procesit të vendimmarrjes unanime.

Në këtë kontekst, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është shprehur hapur në mbështetje të modelit të anëtarësimit gradual.

Në një intervistë për Politico, Rama e ka cilësuar këtë qasje si një “ide të mirë”, duke theksuar se Shqipëria është e gatshme të pranojë, për një periudhë të caktuar, anëtarësimin pa të drejta të plota vote.

Ai ka shkuar edhe më tej, duke deklaruar se Tirana zyrtare do të pranonte përkohësisht edhe mungesën e një komisioneri shqiptar në Komisionin Europian, nëse kjo do të ndihmonte procesin e zgjerimit dhe do të qetësonte shqetësimet e vendeve anëtare ekzistuese.

Sipas tij, Shqipëria nuk synon të sfidojë vullnetin e vendeve themeluese të BE-së, si Franca dhe Gjermania, të cilat ai i ka cilësuar si “vendimmarrëset kryesore” brenda Unionit.

“Për vendet e vogla, përfitimi kryesor është të jesh pjesë e familjes europiane dhe e programeve të saj, më shumë sesa të kesh të njëjtën peshë vendimmarrëse me vendet e mëdha”, ka theksuar Rama, duke shtuar se anëtarësimi gradual do t’i sillte Shqipërisë stabilitet politik dhe ekonomik.

Ndryshe nga Tirana, disa vende të tjera kandidate janë shprehur skeptike. Ukraina, e cila ka ndërmarrë reforma të thella edhe në kushtet e luftës me Rusinë, ka theksuar se anëtarësimi në BE duhet të jetë i plotë dhe pa kufizime. Edhe Mali i Zi, vendi më i avancuar në procesin e negociatave, këmbëngul se nuk ka nevojë për rishikim të kushteve të anëtarësimit.

SHARE