SEKRETARJA FRANCEZE E SHTETIT PËR ÇËSHTJET EVROPIANE VIZITË NË SHQIPËRI

Sekretarja franceze e Shtetit për Çështjet Evropiane, Laurence Boone, ka zhvilluar një vizitë në Shqipëri, ndërkohë së bashku me kryeministrin Edi Rama mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes mes Qeverisë së Shqiptarisë dhe Agjencisë Franceze të Zhvillimit, për financimin e rrjetit të ujësjellësit në Durrës. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, kryeministri Rama tha se marrëveshja është për të ndërhyrë me një investim masiv në gjithë zonën e Durrësit që sipas tij plotëson një proces të gjatë, të ndërlikuar transformimi të gjithë sistemit të ujësjellësit të Durrësit. Rama shtoi se vizita e sekretares Boone është “edhe për të shprehur nga afër gatishmërinë e vazhdueshme të Francës në mbështetje të Shqipërisë, në mbështetje të transformimeve në procesin e integrimit evropian, por edhe në mbështetje të transformimeve këtu në rajon.”Në deklaratën e saj Boone tha se është shumë e gëzuar që e shikon “Shqipërinë të integrohet në BE dhe të ecë drejt këtij integrimi dhe që është një aktore kaq e rëndësishme e komunitetit politik evropian”. “Gjithçka që bëjmë bashkë krijon lidhje besimi, lidhje bashkëpunimi dhe besoj që do të përforcohet nga marrëveshjet që firmosëm për financimin e rindërtimit të rrjetit të ujësjellës kanalizimit të qytetit të Durrësit me këtë hua dhe këtë grant. Ky ishte një ilustrim i mbështetjes së miqësisë së Francës për Shqipërinë dhe që u shpreh pas tërmetit të rëndë të vitit 2019”, tha Boone. Me anë të marrëveshjes synohet të realizohet një investim me mbështetjen e Francës, për transformimin e sistemit të ujësjellësit të qytetit të Durrësit.

SHARE