RAMA PËR REUTERS: NUK JAP DORËHEQJEN, QEVERITË NDRYSHOHEN ME ZGJEDHJE

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se nuk do të japë dorëheqjen për shkak të protestave të dhunshme që kanë hyrë në ditën e tretë, duke theksuar se qeveritë ndryshohen përmes zgjedhjeve demokratike dhe jo përmes revolucionit.

Në një përgjigje me shkrim për agjencinë britanike të lajmeve Reuters, Rama tha se është i gatshëm të dëgjojë shqetësimet e studentëve dhe të diskutojë për rritjen e kostove të arsimit, por dënoi dhunën, sulmet ndaj institucioneve dhe dëmtimin e pronës publike.

Protestuesit kërkojnë përmirësimin e kushteve në arsim, luftën kundër korrupsionit dhe dorëheqjen e kryeministrit.

„Përgjegjësia ime është të dëgjoj, të trajtoj shqetësimet legjitime dhe ta mbaj Shqipërinë në rrugën e përparimit. Çdo gjë tjetër do të ishte një tradhti ndaj shqiptarëve, të cilët më dhanë një mandat të fortë për të përfunduar negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian“, deklaroi Rama.

Protestat janë shoqëruar me përplasje mes demonstruesve dhe policisë, dëmtime të pronave dhe përdorimin e ujit me presion nga forcat e rendit. Për shkak të situatës së tensionuar, Kuvendi anuloi seancën e planifikuar.

Rama i cilësoi zhvillimet si një sfidë të rëndësishme për qeverinë e tij, e cila vjen pas muajsh demonstratash kryesisht paqësore, të nxitura edhe nga kundërshtimet ndaj projektit për ndërtimin e një resorti luksoz në bregdetin jugor të Shqipërisë, të mbështetur nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump.

Kryeministri pretendoi se Shqipëria po e lufton korrupsionin më shumë se më parë dhe theksoi se nuk do të lejojë që dhuna të pengojë integrimin evropian të vendit. Shqipëria synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian në vitin 2028.

SHARE