PËRSHKALLËZOHEN PROTESTAT NË SHQIPËRI, DHUNË NË DISA QYTETE, DHJETËRA TË LËNDUAR

Protestat në Shqipëri kanë hyrë në ditën e tretë, ndërsa tensionet dhe përplasjet mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit janë përhapur nga Tirana edhe në qytete të tjera të vendit, përfshirë Shkodrën, Elbasanin, Korçën dhe Kukësin.

Gjatë protestave janë thyer xhama të institucioneve dhe bizneseve, janë hedhur gurë e mjete piroteknike, ndërsa në disa objekte janë shkaktuar zjarre. Policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë për shpërndarjen e turmave.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, deri pasditen e 15 tetorit, 14 persona të lënduar gjatë protestave në Tiranë janë paraqitur për trajtim mjekësor në Spitalin e Traumës.

Mes tyre janë tetë efektivë policie, katër protestues dhe dy të mitur.

Ndërkohë, komandanti i forcave të rendit në Shkodër, Fasli Rama, raportohet se ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi ka marrë një plagë të rëndë në kokë gjatë protestës.

Protestat janë shtrirë edhe në qytete të tjera. Në Shkodër, protestuesit kanë hedhur gurë dhe kanë thyer xhamat e Bashkisë, si dhe janë sulmuar godinat e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike.

Në Korçë, pas rreth pesë orësh tensione dhe përplasjesh, protesta ka përfunduar me më shumë se 20 të rinj të shoqëruar nga policia.

Ndërsa në Elbasan dhe Kukës, gjimnazistët kanë bojkotuar mësimin për t’u solidarizuar me protestuesit në kryeqytet, ku janë raportuar edhe akte vandalizmi.

Gjatë protestave të së mërkurës në Tiranë, demonstruesit sulmuan disa institucione shtetërore, përfshirë Kuvendin dhe Ministrinë e Drejtësisë, si dhe biznese private.

Në disa raste u raportua për zjarrvënie dhe dëme të konsiderueshme materiale. Për shkak të paralajmërimit për protestën e radhës, seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë, e planifikuar për të enjten, është anuluar.

Protestat lidhen me kërkesat për përmirësimin e kushteve në shkolla dhe universitete, uljen e kostove të studimeve dhe rritjen e mbështetjes financiare për studentët.

Megjithatë, pakënaqësitë janë shtrirë edhe te qeverisja, ndërsa protestuesit kanë ngritur akuza për korrupsion dhe kanë kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama.

Ndërkohë, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe Delegacioni i Bashkimit Evropian kanë dënuar dhunën dhe kanë bërë thirrje për vetëpërmbajtje, respektimin e së drejtës për protesta paqësore dhe shmangien e përshkallëzimit të mëtejshëm të situatës.

SHARE