INSPEKTORATI KONTROLLON PRODHUESIT E PELETIT PAS ANKESAVE TË QYTETARËVE

Foto: Ilustrim

Në Mal të Zi do të zhvillohen kontrolle të synuara ndaj prodhuesve të peletit, pas ankesave të qytetarëve se disa kompani kushtëzojnë blerjen e këtij produkti me përdorimin e shërbimeve të tyre të transportit.

Trupi Koordinues për Harmonizimin dhe Monitorimin e Mbikëqyrjes Inspektuese vendosi të formojë një ekip inspektorësh për të verifikuar nëse këto praktika janë në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit.

Qytetarët që përballen me raste të tilla janë ftuar t’i raportojnë ato pranë Inspektoratit të Tregut.

Ndërkohë, në mbledhjen e trupit koordinues u vendos edhe formimi i ekipeve të lëvizshme për kontrolle të koordinuara në institucionet private që ofrojnë arsim dhe edukim parashkollor, si dhe krijimi i një grupi pune për përgatitjen dhe monitorimin e sezonit turistik dimëror 2026/2027.

SHARE