FORUMI SHQIPTAR IA LË NË DORË QYTETARËVE TË VENDOSIN VETË SE KË DO TË VOTOJNË PËR PRESIDENT

Forumi Shqiptar njoftoi se ata besojnë se nuk duhet tu thonë votuesve të tyre se kë të mbështesin dhe se besojnë në pjekurinë e tyre politike dhe përgjegjësinë për të vlerësuar opsionin më të mirë.

Ata u bënë thirrje votuesve dhe simpatizantëve të tyre që të ushtrojnë të drejten e tyre qytetare dhe të votojnë në zgjedhjet presidenciale, të cilat do të mbahen më 19 mars.

“Duke votuar dhe mbështetur bindshëm partitë shqiptare, ne shprehëm qëndrimin se shqiptarët përfaqësohen vetëm përmes partive nacionale. Ne besojmë se edhe në zgjedhjet presidenciale, pa presion dhe tutorë se si të veprojnë, ata do të mund të vendosin vetë. Ndërsa, Forumi shqiptar do të vazhdojë të përfaqësojë shqiptarët në Mal të Zi dhe do të bashkëpunojë në mënyrë të përhershme me strukturat politike partnere të BE-së, SHBA-së, aleancës së NATO-s, si dhe për marrëdhënie të mira me Shqipërinë dhe Kosovën, dhe në radhë të parë me partitë që promovojnë rrugën properëndimore të Malit të Zi,“ thuhet në deklaratë.

Dje, Unioni Demokratik i Shqiptarëve (UDSH) dhe Partia Demokratike (PD) janë deklaruar se mbështesin presidentin aktual Millo Gjukanoviq në zgjedhjet presidenciale.

Sipas UDSH-së, nuk ka kandidat më të mirë se Millo Gjukanoviq.

“Nuk ka kandidat më të mirë se presidenti aktual Millo Gjukanoviq. Për dallim nga të tjerët, UDSh-ja nuk ka ndërmend të ndryshojë partnerët e koalicionit çdo ditë”, tha kryetari i UDSH-së Mehmed Zenka.

Kryetari i Partisë Demokratike, Fatmir Gjeka tha për të përditshmen Pobjeda se do të mbështesë kandidatin e Partisë Demokratike të Socialistëve, Millo Gjukanoviq, në zgjedhjet presidenciale që do mbahen kësaj të diele.

„Përsa më përket mua personalisht dhe partisë që drejtoj, e preferoj dhe do ta mbështesim Millo Gjukanoviqin, me të cilin kemi pasur bashkëpunim shumë të mirë gjatë gjithë kësaj periudhe. Pra, theksoj, kjo është përkrahje për Milo Gjukanoviqin personalisht – si kandidat për president,“ ​​theksoi Gjeka.

I pyetur nëse do t’i ftonte votuesit e Partisë Demokratike, të cilën ai e drejton, të votojnë për Gjukanoviqin, ai tha se anëtarësia dhe simpatizantët e tyre kanë një kulturë politike të lakmueshme dhe se kanë ditur gjithmonë të marrin vendimin e duhur kur bëhet fjalë për një gjë të tillë.

Ndërsa sot, kryetari i komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari, është deklaruar se do të përkrahë kandidatin e Demokratëve, Alleksa Beçiqin në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

„Si qytetar i Ulqinit dhe tani si kryetar i Komunës e vlerësoj pa masë kontributin e jashtëzakonshem që z.Aleksa Beçiq, si kryetar i Parlamentit të Malit të Zi, ka dhënë për eliminimin e pëngesave dhe padrejtësive që i janë bërë qytetit të Ulqinit, siç janë ligji për kthimin e Valdanosit, Kryporja dhe shumë të tjera. Procesi i ndërrimit të pushtetit nuk është i kompletuar pa një president të ri, prandaj jam më së i sigurt që me ardhjen e tij në krye të shtetit, edhe për Ulqin do të vazhdojë progresi dhe eliminimi i padrejtësive shumëvjeçare,“ theksoi Bajraktari.

SHARE