Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiq njoftoi se raporti më i fundit i Komitetit të Ekspertëve të Këshillit të Evropës për vlerësimin e masave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit (MONEYVAL) përbën një konfirmim të fuqishëm nga adresat më të larta evropiane se Mali i Zi po përballet në mënyrë sistematike me të gjitha format e krimit dhe pastrimit të parave.
Spajiq theksoi se Mali i Zi i ka tejkaluar plotësisht premtimet e dhëna në dhjetor të vitit 2023, kur, siç tha ai, me përpjekje të jashtëzakonshme u shmang vendosja e vendit në listën gri të MONEYVAL-it.
“Çfarë dikur ishte pika më e dhimbshme e sistemit tonë dhe pengesa më e madhe në rrugën drejt Bashkimit Evropian, sot po bëhet prova kryesore e përkushtimit të sinqertë të Malit të Zi ndaj integrimit evropian”, tha kryeministri në rrjetin “X”.
Sipas tij, raporti më i fundit i monitorimit të MONEYVAL konstaton se Mali i Zi ka eliminuar një pjesë të madhe të mangësive të identifikuara në vlerësimin e publikuar në dhjetor 2023 dhe se është përmirësuar në nivelin “në masë të madhe i përputhur” për gjithsej 12 rekomandime.
Spajiq theksoi se përparimi i arritur matet sipas standardeve të Grupit të Veprimit Financiar, dhe se është veçanërisht e rëndësishme që asnjë nga rekomandimet të mos jetë vlerësuar si i papërputhur.
“Mali i Zi është vlerësuar si i përputhur me dy rekomandime, në masë të madhe i përputhur me 31, ndërsa pjesërisht i përputhur me shtatë rekomandime, çka përfaqëson një tregues të qartë të një kthesë të fortë institucionale dhe të vendosmërisë së shtetit për të forcuar sundimin e ligjit”, përfundoi Spajiq.









