Më 13 tetor, Policia e Kosovës nisi një aksion kundër kontrabandës së mallrave në disa lokacione në Kosovë, përfshirë edhe komunat në veri. Serbët lokalë në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan kundërshtuan këtë aksion dhe policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat. Deri më tani, gjashtë zyrtarë kanë pësuar lëndime trupore, pesë zyrtarë shqiptarë dhe një i nacionalitetit serbë. Policia deri më tani ka arrestuar dhe shoqëruar në stacione policore tetë persona. Kryeministri Albin Kurti thotë se aksioni është zhvilluar në kuadër të luftës së kontrabandës, ndërsa sqaron se hetimet janë kryer me urdhër të lëshuar nga prokuroritë. Nga ana tjetër, i bën thirrje qytetarëve në komunën veriore të Mitrovicës që të mos bien pre e disa medieve në Serbi që e mbrojnë krimin, korrupsionin dhe kontrabandën dhe duan ta politizojnë dhe etnizojnë atë. Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq ka ftuar bashkësinë ndërkombëtare që të reagojë teksa Policia dhe Dogana e Kosovës njoftuan se po zhvillojnë aksion kundër kontrabandës në disa lokacione, përfshirë edhe komunat në veri të vendit. Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, tha se incidentet e dhunshme në veri të Kosovës duhet të ndalen menjëherë dhe se BE-ja është në kontakt me Prishtinën dhe Beogradin për situatën e krijuar.