Kryetari i Kuvendit Komunal të Budvës, Gjorgje Vujoviq, ka caktuar të martën, më 17 korrik, vazhdimin e seancës së 16-të, e cila deri më tani është ndërprerë tre herë për shkak të mungesës së kuorumit, pasi që tani kanë fituar siguri se koalicioni qeverisës dhe partia Malazeze, kanë arritur marrëveshje mbi konstituimin e pushtetit.
Sipas gazetës “Dan”, mbetet të zgjidhet çështja e Organizatës Turistike të Budvës, domethënë, kush do të jetë në strukturën drejtuese të kësaj organizatë.
Koalicioni qeverisës ka konfirmuar se Vujoviq ka planifikuar seancën për të martën dhe se këtë herë do të ketë kuorum për mbajtjen e saj.
Negociatat midis përfaqësuesve të koalicionit qeverisës dhe Partisë Malazeze lidhur me hyrjen e këshilltarëve të opozitës në pushtet filluan të mërkurën dhe duhet të finalizohen deri në seancën e ardhshme.
Sipas informatave jozyrtare, por të besueshme shkruan “DAN”, partia Malazeze, ka fituar pozitën e nënkryetarit të komunës dhe një sekretariat. Gjithashtu sipas “DAN”, do të nënshkruhet edhe një dokument programues për drejtimet e ardhshme të zhvillimit të Bashkisë së Budvës, për të përcaktuar qëllimet e koalicionit deri në periudhën e mbarimit të mandatit të qeverisjes aktuale.