META DHE BASHA MBËSHTESIN GJUKANOVIQIN PËR PRESIDENT

Presidentit i Shqipërisë Ilir Meta  në një intervistë për “Albanian Daily News”, foli për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen të dielë në MZ.

Meta theksoi se  ai po i ndjek me shumë vëmendje dhe interes të veçantë zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi, pasi për ta Mali i Zi nuk është thjesht një vend fqinj i drejtpërdrejtë, por është një vend me të cilin kanë ndërtuar marrëdhënie të shkëlqyera. Meta tha se Shqiptarët në Mal të Zi kanë qenë dhe janë një faktor shumë i rëndësishëm për unitetin dhe stabilitetin e Malit të Zi  dhe se roli i tyre është vlerësuar shumë si nga aktorët ndërkombëtare ashtu edhe nga drejtuesit dhe politikanët malazezë.

Sipas Metës fushata elektorale kudo ka elementët e saj  dhe platformat e kandidatëve synojnë maksimalizimin e votës përmes atyre që premtojnë. Por  ai mendon se shqiptarët në Mal të Zi janë shumë të interesuar, në veçanti për statusin dhe respektimin e të drejtave të tyre legjitime dhe është i sigurt se ata do të bëjnë dallimin e qartë midis kandidatëve që kanë kontribuar për ta dhe atyre që retorikën nacionaliste apo antishqiptare e kanë bërë pjesë të platformave të tyre.

“E theksoj edhe njëherë se shqiptarët në Mal të Zi e ndjejnë, e dinë dhe kuptojnë më mirë se kushdo tjetër se cili prej kandidatëve i ka përmbushur dhe përmbush më së miri aspiratat dhe të drejtat e tyre. Nuk ka qenë një proces i lehtë dhe as i përfunduar. Personalisht mendoj se kandidati që i ka vendosur dhe forcuar lidhjet miqësore e të bashkëpunimit midis shqiptarëve dhe malazezëve dhe ka ndikuar në mënyrë të qenësishme për ndërtimin e marrëdhënieve të shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Malit të Zi, është zoti Millo Gjukanoviq”, deklaroi presidenti shqiptar Ilir Meta.

Po në këtë linje pro Gjukanoviq u deklarua edhe Lideri i Partisë Demokratike të Shqipërisë Lulzim Basha i cili ka shprehur mbështetjen për kandidaturën e Millo Gjukanoviq për president të Malit të Zi.

I pyetur nga disa media, Basha, deklaroi mbështetjen për Gjukanoviq dhe perspektiven euroatlantike të Malit të Zi.“Zgjedhjet e së dielës në Malin e Zi janë një ngjarje e rëndësishme për zhvillimet politike në fqinjin tonë verior, por dhe me ndikim në zhvillimet e rajonit drejt perspektives euroatlantike të tij.

Sipas Bashës Gjukanoviq ka një rekord të mirë bashkëpunimi me faktorin shqiptar në Mal të Zi dhe theksoi se shqiptaret i janë mirënjohës për mbështetjen që i ka dhënë popullsisë kosovare gjatë luftës në Kosovë.

“Për këto arsye PD dhe unë mbështesim plotësisht kandidaturën e tij dhe shprehim gjithashtu besimin se, si president, Gjukanoviq do të jete një shtysë pozitive që faktori shqiptar në Mal të Zi të jetë pjesë e qenësishme e respektuar dhe funksionale në zhvillimet politke dhe shtetërore, si një hap i sigurtë për të realizuar aspiratat e tyre për integrim dhe prosperitet demokratik të popullsisë shqiptare në Mal të Zi”, tha Basha.

SHARE