Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë bëri të ditur se është e gatshme të forcojë partneritetin me Qeverinë e ardhshme të Kosovës dhe të rifillojë Dialogun Strategjik mes dy vendeve.
Megjithatë, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Ambasada theksoi se realizimi i këtij synimi do të kërkojë veprime nga Qeveria e Kosovës, të cilat “çojnë përpara agjendën e përbashkët për paqe dhe stabilitet rajonal”, si dhe “prosperitetin e ndërsjellë ekonomik”.
Këto qëndrime u shprehën në përgjigje të pyetjes se si Shtetet e Bashkuara planifikojnë bashkëpunimin me Qeverinë e ardhshme të Kosovës, që pritet të formohet pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.






