22 VJET NGA SULMET TERRORISTE TË 11 SHTATORIT 2001 NË AMERIKË

22 vite pas mëngjesit të ditës që ndryshoi një herë e përgjithmonë Shtetet e Bashkuara, amerikanët hedhin vështrimin pas për të mos e harruar sulmin më të rëndë terrorist në tokën e tyre, dhe trashëgimin të tmerrshme të tij.

Ceremonitë përkujtimore shtrihen nga vendet e sulmeve – Qendra Botërore e Tregtisë në Nju Jork, Pentagoni dhe Shanksville i Pensilvanisë, e deri në Alaska.

Rrugëtimi i presidentit Joe Biden për ceremoninë e organizuar në bazën ushtarake të Anchorage, është kujtesa se pasojat e 11 shtatorit u ndjenë në çdo cep të kombit, sado i largët.

Sulmet e avionëve të rrëmbyer që morën afro 3000 jetë, riformësuan politikën e jashtme amerikane, por edhe frikërat e brendshme.

Në mesin e viktimave që humbën jetën ishin edhe tre shqiptaro-amerikanët: Simon Dedvukaj, Mon Gjonbalaj dhe Rrok Camaj.

Dedvukaj, Gjonbalaj dhe Camaj ishin disa prej shqiptarëve që punonin në Qendrën Tregtare Botërore, e njohur në gjuhën popullore si “Kullat Binjake”.

Ata humbën jetën në sulmin terrorist dhe përkujtohen çdo vit bashkë me viktimat e tjera të asaj tragjedie.

Me këtë rast kryetari i komunës së Tuzit, kujtoi viktimat e 11 shtatorit të vitit 2001.

Në postimin e Gjeloshajt thuhet: „Sot me pikëllim kujtojmë sulmin terrorist që ndodhi 22 vite më parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në atë sulm humbën jetën tragjikisht afro 3000 persona të pafajshëm, ndër ta ishin edhe bashkatdhetarët tanë Mon Gjonbalaj, Simon Dedvukaj dhe Rrok Camaj. Ajo ditë e afroi botën edhe më shumë, sepse askush nuk mund të qëndronte indiferent ndaj një ngjarje kaq të tmerrshme dhe na tregoi edhe një herë se e vetmja rrugë e vërtetë është rruga perëndimore dhe amerikane e demokracisë, përgjegjësisë dhe solidaritetit. Mund të theksoj me krenari se populli amerikan dhe ai shqiptar ndajnë vlera dhe ideale të përbashkëta dhe ashtu siç e tejkaluam së bashku tragjedinë e 11 shtatorit, ashtu do të punojmë së bashku edhe në të ardhmen për të përmirësuar dhe zhvilluar komunitetet tona. Qoftë i përjetshëm kujtimi i të gjithë viktimave të pafajshme dhe u prefshin në paqe!”

SHARE