MINISTRI DUKAJ PREMTOI PËRPARIM NË CILËSINË E PUNËS SË VETËQEVERISJEVE LOKALE

Ministria e Administratës Publike vepron në mënyrë sistematike dhe ndërmerr hapat e paraparë në strategji, në mënyrë që pushtetet lokale të kenë potencial për të ofruar shërbim cilësor për qytetarët dhe ekonominë, tha ministri i Administratës Publike Marash Dukaj.

Në tryezën e organizuar nga Unioni i Komunave të Malit të Zi, Dukaj tha se asnjë nga këto nuk mund të arrihet pa mbështetjen e të gjitha pushteteve lokale, partnerëve ndërkombëtarë dhe bashkëpunëtorëve të tjerë.

Ai theksoi se Strategjia për Reformën e Administratës Publike 2022-2026 parasheh zbatimin e një analize gjithëpërfshirëse të funksionimit të sistemit të vetëqeverisjes lokale, si dhe ndryshimet në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale në përputhje me gjetjet e analizës.

“Analiza është diskutuar në Këshillin për Reformën e Administratës Publike, e miratuar nga Qeveria dhe ka treguar se decentralizimi në Mal të Zi është i kufizuar në raport me vendet e rajonit dhe vendet e OECD. Ka dallime të mëdha mes komunave për nga madhësia, territori, numri i banorëve, por edhe efikasiteti i të bërit biznes dhe stabilitetit të financave publike lokale”, tha Dukaj.

Ai shtoi se rekomandimet e Analizës kanë të bëjnë me përmirësimin e kornizës normative për funksionimin e sistemit të vetëqeverisjes lokale.

“Prandaj ne tashmë e kemi filluar procesin në dhjetor të vitit 2023 dhe kemi shpallur thirrje publike për konsultime dhe kemi formuar Grupin Punues për ndryshime në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe ndryshimet në Ligjin do të përmirësojnë decentralizimin e vetëqeverisjeve lokale,“ tha ministri.

Dukaj posaçërisht theksoi se në bashkëpunim me partnerët UNDP-së dhe UNOPS-it është duke u realizuar një projekt me qëllim të përmirësimit të digjitalizimit në nivel të vetëqeverisjeve lokale, i cili do të përmirësonte ndjeshëm cilësinë e shërbimeve që ofrohen për qytetarët e Malit të Zi.

“Gjithashtu, Ministria e Administratës Publike dhe Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbime Projekti (UNOPS) kanë nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi vitin e kaluar dhe së bashku po zbatojmë projektin “Transformimi digjital në nivel lokal”. Një nga aktivitetet e para do të jetë – Vlerësimi i nevojave apo prioriteteve të vetëqeverisjes lokale për futjen e administratës elektronike”, tha Dukaj.

Projekti do të përfshijë ngritjen e kapaciteteve të institucioneve kombëtare për të mbështetur zbatimin e qeverisjes elektronike dhe shërbimeve elektronike në nivel vendor në qeverisjet vendore të zgjedhura, si dhe pajisje TIK bazuar në prioritetet dhe nevojat e provuara për qeverisjet vendore të përzgjedhura.

“Një pjesë e aktiviteteve të dixhitalizimit në nivel vendor do të zbatohet deri në fund të vitit 2024, si pjesë e projektit “Shërbimet elektronike dhe infrastruktura digjitale si masë reagimi ndaj COVID 19”, të cilin Ministria e Administratës Publike po e zbaton në bashkëpunim me UNDP. Qëllimi ynë i përbashkët është i njohur – të përgatisim të gjitha vetëqeverisjet lokale për të marrë me sukses zbatimin e plotë të ligjit të BE-së kur Mali i Zi të bëhet pjesë e komunitetit evropian”, ka përfunduar Dukaj.

SHARE