Mali i Zi ka një shans të jetë një qendër biznesi për të gjithë Ballkanin Perëndimor, tha kryeministri në mandatin teknik Dritan Abazoviq, i cili priti sot në Villa Gorica përfaqësues të Asociacionit të Biznesit Amerikano-Evropian Qendror.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Abazoviq theksoi se dëshiron të shohë një prani më të madhe të kompanive amerikane në Mal të Zi, duke shtuar se vendi ynë ka një shans të jetë një qendër biznesi për të gjithë Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në ekonominë e gjelbër dhe të qëndrueshme.
“Përmirësimi i Portit të Tivarit do të ndihmojë fuqishëm zhvillimin më të shpejtë të Malit të Zi, për të cilin Qeveria do të punojë në mënyrë aktive. Së bashku me autostradën dhe aeroportet, kjo do të kompletojë historinë e përmirësimit të infrastrukturës kyçe në Mal të Zi”, theksoi kryeministri.
Duke folur për mundësitë e mëdha për përmirësimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e turizmit, kryeministri Abazoviq tha se qeveria do të bëjë përpjekje që Mali i Zi të promovohet tek turistët amerikanë, për të cilët vendi ynë është destinacion i pazbuluar tani për tani.
„Ne i jemi shumë mirënjohës qeverisë amerikane për ndihmën që ka dhënë në luftën për sigurinë kibernetike në periudhën e kaluar. Me kompanitë amerikane shohim një shans të madh për bashkëpunim në 10 vitet e ardhshme pikërisht në fushën e përmirësimit të sigurisë kibernetike,“ theksoi Abazoviq gjatë fjalës së tij.