SULMET KIBERNETIKE, SHQIPËRIA KËRKON BLLOKIMIN E FAQEVE QË PUBLIKOJNË TË DHËNA

Autoritetet e Shqipërisë kanë kërkuar sekuestrimin e të dhënave dhe bllokimin faqeve online në disa shtete, si në Rusi, Kinë dhe Britani, të cilat sipas hetimeve publikojnë të dhëna të hakeruara nga sulmet kibernetike ndaj Shqipërisë. Në një njoftim nga Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë thuhet se nga veprimet hetimore, ka rezultuar se këto faqe kanë IP ne Hong Kong, Britaninë e Madhe dhe në Rusi. “U dërguan kërkesat për ndihmë juridike nga organet ligjzbatuese të shtetit përkatës Britania e Madhe, Republika Popullore e Kinës dhe Federata Ruse. Sqarojmë se këto faqe nga burojnë materialet e hakeruara përbëjnë objekt të hetimit penal, janë të dhëna dhe sisteme kompjuterike tashmë të sekuestruara konform ligjit procedurial të Republikës së Shqipërisë dhe çdo e dhënë që buron nga këto faqe që operojnë në mënyrë kriminale është objekt i hetimit dhe i sekuestrimit tashmë me vendimet e gjykatës”, thuhet në njoftim. Sipas prokurorisë, hetimet në lidhje me këto raste janë komplekse dhe janë në vijim. Në javët e fundit, disa uebfaqe dhe profile të tjera publikojnë të dhëna të cilat pretendohet se janë marrë gjatë sulmeve kibernetike ndaj Shqipërisë.

SHARE