BE-ja NDAN 13 MILIONË EURO PËR BALLKANIN PERËNDIMOR PËR PËRBALLIMIN E PANDEMISË COVID-19

Komisioni Evropian paraqiti një paketë prej 530 milionë eurosh në mbështetje financiare shtesë përmes Fondit te Solidaritetit të BE-se (EUSF). EUSF do të kontribuojë në përpjekjet e vendosura nga 17 shtetet anëtare, Austria, Belgjika, Kroacia, Çekia, Estonia, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Irlanda, Italia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Portugalia, Rumania, Spanja dhe tri vendet drejt anëtarësimit Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia për të mbrojtur shëndetin publik në luftën kundër pandemisë COVID-19. Ky financim do të mbështesë një pjesë të shpenzimeve të tyre publike për pajisjet mjekësore dhe personale të mbrojtjes, mbështetjen emergjente për popullatën dhe masat e parandalimit, monitorimit dhe kontrollit të përhapjes së sëmundjes. Komisionarja për Kohezionin dhe Reformat, Elisa Ferreira tha se, “Fondi i Solidaritetit të BE-së është një demonstrim konkret i solidaritetit evropian në veprim. Që nga krijimi i tij, ai ka ofruar ndihmë dhe lehtësim efektiv për miliona njerëz gjatë kohërave të vështira. Vitin e kaluar, ne zgjeruam fushën e tij për të mbuluar emergjenca të mëdha shëndetësore. Tani ne po propozojmë të mobilizojmë asistencën financiare lidhur me COVID-19. EUSF edhe një herë është duke përmbushur misionin e tij kryesor”. Paketa e ndihmës e propozuar sot përfshin gjithashtu 132.7 milionë euro të paradhënieve të marra tashmë nga Gjermania, Irlanda, Greqia, Spanja, Kroacia, Hungaria dhe Portugalia. Kurse drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian, Genoveva Ruiz Calavera ka njoftuar se BE-ja do t’i ndajë 13 milionë euro për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Serbinë. “Solidariteti i BE-se me Ballkanin Perëndimor në luftën kundër COVID-19 vazhdon. Komisioni i BE-së ka propozuar më shumë se 13 milionë euro nga Fondi i Solidaritetit të BE-së për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Serbinë për të mbuluar kostot e valës së parë të pandemisë”, ka shkruar Calavera.

SHARE