Nuk ka shije më fantastike, të lehtë e të ëmbël që të përfshin tërësisht se sa qumështori i përgatitur me niseshte.
Kërkon vetëm pak përbërës të cilët i keni të gjithë në kuzhinën tuaj, aspak mund dhe shumë pak kohë ju do të mund ta shërbeni dhe ta shijoni në tryezën tuaj.
Mund ta konsumoni në çdo kohës të ditës që do t’ju ëmbëlsojë me shijen e tij të lehtë pa e rënduar organizmin.
Pasi ta keni përgatitur mund ta kombinoni me arra, fruta të thata por edhe fruta tue freskëta gjithashtu.
AgroWeb.org ju sjell më poshtë recetën fantastike të përgatitjes së qumështorit me niseshte krejt lehtë në shtëpi.
Përgatitja e Qumështorit me Niseshte
Përbërësit
1 petë sfoliat (e gjeni në markete)
1.5 litër qumësht
50 gr gjalpë
2 kokrra veze
1 ½ filxhan niseshte
1 ½ filxhan sheqer
Përgatitja
Si fillim, AgroWeb.org ju udhëzon që të lyeni një tavë me pak gjalpë në të gjithë sipërfaqen e saj dhe shtroni petën sfoliat duke bërë disa vrima në hapësirën e saj përmes një piruni.
Më pas, petën që keni shtruar lyejeni sërish me pak gjalpë në të gjithë sipërfaqen e saj.
Më pas, hidhni qumështin në tenxhere dhe vendoseni në zjarr.
Shtoni sheqerin, gjalpin e tretur dhe niseshten e tretur në pak ujë.
Përzjeini me njëra tjetrën pa ndalur.
Ndërkohë, shtoni edhe dy të bardha dhe një të verdhë veze të cilat i keni rrahur më parë, të verdhën tjetër të vezës lëreni mënjanë për ta përdorur më vonë.
Trazojeni të gjithë masën e qumështit me përbërësit që keni hedhur në të derisa të trashet dhe masa të nisë të fluskojë.
Në këtë moment largojeni nga zjarri. Dhe masën kremoze të qumështit shtrojeni në të gjithë sipërfaqen e tavës ku keni shtruar petën sfoliat.
Në fund lyejeni sipërfaqen e qumështorit me të verdhën e vezës që keni lënë mënjanë dhe futeni të piqet në furrë të parangrohur në 200 gradë celcius për 20-25 minuta./AgroWeb.org