Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në konferencën e përbashkët për media me presidentin e Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, ka njoftuar se Türkiye i ka dhuruar Shqipërisë “një numër të konsiderueshëm” dronësh kamikazë.
Kryeministri Rama, gjatë konferencës për media të mbajtur në Tiranë, ku presidenti Erdoğan po qëndron për vizitë pune, u shpreh se Shqipëria është shumë e interesuar dhe e kënaqur nga konfirmimi i një etape të re në fuqizimin e marrëdhënieve në aspektin ushtarak, duke përgëzuar nivelin shumë të lartë të kapaciteteve të prodhimit të indurstrisë ushtarake turke.
Kryeministri shqiptar u shpreh i kënaqur me mbajtjen e takimit të dytë të Këshillit të Nivelit të Lartë të Bashkëpunimit, ku sipas tij, u konfirmua vendosmëria për ta forcuar më tej karakterin strategjik të bashkëpunimit.
Rama u shpreh se pas takimeve janë firmosur disa marrëveshje, duke theksuar se është posaçërisht mirënjohës për marrëveshjen për Universitetin Teknik të Istanbulit në Tiranë.
Ai theksoi se ky është rasti i parë që Republika e Türkiyes firmos një marrëveshje të këtillë, që sipas tij, dëshmon përkushtimin e presidentit Erdoğan ndaj marrëdhënieve vëllazërore.
Duke u shprehur se është i lumtur që ndodhet në vendin mik dhe vëllazëror të Shqipërisë, Erdoğan tha: “Siç e dini, vitin e kaluar ne festuam 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve tona diplomatike me Shqipërinë. Marrëdhëniet tona miqësore me Shqipërinë, të forcuara nga lidhjet historike dhe afërsia kulturore, në fakt shtrihen përtej një shekulli”.
Ai tha se me diskutimet e sotme e thelluan më tej partneritetin strategjik të vendosur në vitin 2021 mbi këtë themel historik, njerëzor dhe kulturor, duke shtuar se gjatë takimit shkëmbyen mendime të detajuara për fushat e bashkëpunimit të përcaktuara në takimin e parë të Këshillit të mbajtur në Ankara në shkurt 2023.
Erdoğan tha se me Deklaratën e Përbashkët të nënshkruar theksuan vendosmërinë për të zhvilluar dhe thelluar Këshillin në fusha të ndryshme.
Ai tha se kanë “konfirmuar vullnetin e dy vendeve për të avancuar bashkëpunimin” me marrëveshjet që u nënshkruan sot në fushën e bujqësisë, arsimit të lartë dhe marrëdhënieve me publikun dhe komunikimit.