BASHKËPUNIMI RAJONAL NË KËTË KOHË ËSHTË MË I RËNDËSISHËM SE KURRË MË PARË

Në Shqipëri po mbahet Forumi Ekonomik i Tiranës, me pjesëmarrjen e zyrtarëve nga disa vende dhe diplomatëve, si dhe përfaqësuesve të organizatave të ndryshme.  I ndarë në disa penale diskutimi, forumi njëditor ka mbledhur së bashku zyrtarë të ndryshëm nga disa vende, si ministra, zv.ministra, diplomatë, ekspertë të ekonomisë dhe përfaqësues të shoqatave të biznesit, ndërsa në fokus të tij janë diskutimet mbi bashkëpunimin rajonal, investimet e huaja, sfidat në sektorin energjetik dhe të shëndetësisë. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë e Shqipërisë, Delina Ibrahimaj, gjatë fjalës në forum tha se gjatë 20 viteve të fundit nisma të ndryshme ndërkombëtare dhe rajonale janë krijuar për t’i shërbyer qëllimit të rritjes së bashkëpunimit rajonal dhe ekonomik. “Bashkëpunimi ekonomik dhe rajonal në këtë kohë është më i rëndësishëm se kurrë më parë, pasi kriza që po përballemi aktualisht nuk është thjesht çështje krizash, çështje çmimesh, por është më shumë se kaq. Puna që kemi bërë në bashkëpunim me vendet e tjera të rajonit gjatë viteve të fundit na ka ndihmuar që të kapërcejmë disa nga sfidat”, tha ajo. Ibrahimaj theksoi se situata me të cilën po përballen vendet aktualisht që është sipas saj një tjetër krizë ekonomike në mbarë globin “sjellë vështirësitë e veta sa i përket sfidave të reja dhe çmime të rritura në mbarë botën”. Pjesë e forumit ishte edhe Filip Nikoloski, zëvendësministër i Financave i Maqedonisë së Veriut, i cili në fjalën e tij, duke iu referuar nismës së “Ballkanit të Hapur”, tha se sipas marrëveshjeve që janë nënshkruar, ka disa rezultate dhe përfitime të prekshme për qytetarët në rajon. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se është shumë e rëndësishme të kuptohen fqinjësitë sa të rëndësishme janë. “Besoj se ky është një moment të reflektojmë mbi fqinjësinë këtu në Ballkan”, tha ai, duke iu referuar forumit.

SHARE