NË MAL TË ZI, ËSHTË E RËNDËSISHME TË PUNOHET PËR DIVERSIFIKIMIN EKONOMIK

Në Mal të Zi është e rëndësishme të punohet për diversifikimin ekonomik për të mundësuar rezistencë më të madhe të ekonomisë shtetërore ndaj goditjeve të jashtme, u konkludua në takimin e ekipit të Ministrisë së Financave dhe delegacionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Siç njofton Ministria e Financave, dje është mbajtur takimi final i atij dikasteri qeveritar me delegacionin e FMN-së, i cili që nga 29 janari është në një vizitë pune në Mal të Zi.

Bëhet e ditur se gjatë vizitës së punës së FMN-së janë mbajtur disa takime dhe konsultime teknike me përfaqësues të Ministrisë së Financave dhe institucioneve tjera kompetente për trendet aktuale ekonomike dhe parashikimet për periudhën e ardhshme.

Ministria e Financave tha se një nga temat kryesore të takimit final ishte përgatitja e një strategjie fiskale afatmesme, së bashku me udhëzimet se si duhet të duket ai dokument nga perspektiva e FMN-së, bazuar në parametrat aktualë ekonomikë të Malit të Zi.

“Në takim u konstatua se në të ardhmen është e rëndësishme të punohet në diversifikimin ekonomik, i cili do t’i mundësonte një ekonomie të vogël, si ajo malazeze, të jetë më rezistente ndaj goditjeve të jashtme”, thuhet në deklaratë.

Më tej shtohet se, për prosperitetin e ekonomisë vendase, është e rëndësishme rritja e investimeve të destinuara për rajonin verior, për të mundësuar një rritje më të barabartë ekonomike të vendit.

SHARE