Jemi nga vendet e pakta në Evropë që nuk e kemi rritur çmimin e rrymës, tha Kryeministri i Malit të Zi në mandatin teknik, Dritan Abazoviq. “Qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm se në periudhën paraprake me ndihmën e menaxhmentit kanë kursyer 650 milionë euro në kurriz të faktit që rryma nuk është rritur në Mal të Zi. Mali i Zi është një nga vendet e rralla në Evropë, përfshirë të gjithë anëtarët e BE-së, që nuk e ka rritur çmimin e energjisë elektrike. Ne bëmë një sakrificë të vetëdijshme, sepse EEMZ është pronë e shtetit dhe e qytetarëve”, tha Abazoviq. Kryeministri shtoi se alternativa ishte të kishim energji elektrike shumë më të shtrenjtë dhe të rëndojmë qytetarët dhe ekonominë ose të futeshim në një sistem kufizimesh. Mali i Zi, shton ai, duhet të fillojë ndërtimin e objekteve energjetike në Mal të Zi. Deri në fund të vitit, thekson Abazoviq, do të nënshkruhet kontrata për ndërtimin e termocentralit Gvozd.