ZHVILLOHET TAKIMI I MINSTRAVE TË JASHTËM TË PROCESIT TË BERLINIT

Sot është zhvilluar takimi i ministrave të jashtëm të procesit të Berlinit. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, theksoi se sot, në mbledhjen virtuale të ministrave të jashtëm të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve mbështetëse të Procesit të Berlinit, shprehën edhe një herë përkushtimin e Shqipërisë për bashkëpunim rajonal dhe anëtarësim në Bashkimin  Evropian.  Ai  poashtu  i  ka  kërkuar  Ministres së Jashtme të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Ministrit të Jashtëm të Serbisë, të njohin sa më parë Republikën e Kosovës. Tema qëndrore e bisedës së sotme ishte rinia dhe shoqëria civile. “Është thelbësore të vazhdojë mbështetja për nismat në shërbim të forcimit të rinisë, shoqërisë civile dhe pajtimit ndëretnik, sikurse RYCO dhe Fondi i Ballkanit Perëndimor. Po ashtu, ekziston një nevojë e dukshme për të pasur një qasje më dinamike për zbatimin e prioriteteve të Procesit të Berlinit, sa i përket tregut e ekonomisë, ndërlidhjes më të madhe e lëvizjes së lirë, shërbimeve për njerëzit e digjitalizimit, në përgjithësi. Është e qartë, sa i përket Shqipërisë: bashkëpunimi rajonal nuk është zëvendësim, por pjesë thelbësore për ta ndihmuar e përshpejtuar anëtarësimin në Bashkim Evropian,” shkruan Cakaj në rrjetin social “Facebook”.  Procesi i Berlinit është një iniciativë politiko-diplomatike e filluar në gusht 2014 nga kancelarja gjermane, Angela Merkel. Pjesëmarrësit në proces janë vendet e Ballkanit Perëndimor: Maqedonia e Verut, Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Kosova, Serbia dhe Mali i Zi, ndërsa sponsorë dhe mbështetës të saj janë disa shtete anëtare të BE, si Gjermania, Franca, Austria, Italia, Britania e  Madhe ,   Polonia,  Greqia,  Kroacia,  Sllovenia dhe Bullgaria. ​

SHARE