Ngjarja e rëndë që tronditi Tetovën, preku edhe Republikën e Shqipërisë të cilët u dërguan telegrame ngushëllimi familjarëve të viktimave. “Lutje për Tetovën”, thotë Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në një reagim në rrjetet sociale për ngjarjen e rëndë që tronditi mbrëmjen e kësaj të mërkure Tetovën. Një reagim për ngjarjen e rëndë pati edhe Presidenti Ilir Meta. “Me shqetësim dhe trishtim të thellë po përcjell tragjedinë e ndodhur në spitalin e Tetovës. Një ngjarje tepër e rëndë dhe tronditëse, veçanërisht për numrin e viktimave të raportuara! Shpreh ngushëllimet më të ndjera për jetët e humbura dhe ndaj dhembjen e madhe me familjarët e tyre. Ju uroj shërimin sa më parë të lënduarve!” “Shpreh solidaritetin e plotë me autoritetet shtetërore të Maqedonisë së Veriut, që po bëjnë përpjekje maksimale për të shpëtuar sa më shumë jetë dhe vënë nën kontroll situatën. Mendimet dhe lutjet e mia janë me Tetovën!“, tha Meta. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka shprehur ngushëllimet për jetët e humbura pas zjarrit që përfshiu një spital të Tetovës. Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Veliaj u uron shërim të shpejtë të plagosurve dhe shpreh mbështetjen për ekipet e emergjencave. Kryedemokrati Lulzim Basha ka reaguar pas ngjarjes së rëndë në spitalin e Tetovës ku qendra e përshtatur për pacientët Covid u shua nga zjarrit dhe bashkë me flakët edhe jetët e disa personave. “Pikëlluese lajmet e hidhura qe vijnë nga Tetova. Në këtë ditë tragjike i bashkohem dhimbjes së familjarëve dhe të afërmve të viktimave e ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta. Zoti u dhëntë forcë për ta përballuar këtë tragjedi. Shërim të shpejtë të lënduarve. Lutemi për Tetovën”, shkruan Basha.